Mbi 5 mijë mjekë dhe infermierë kanë braktisur vendin për të zgjedhur një nga vendet e BE-së përgjatë dekadës së fundit.
Sipas Presidentes së Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg kjo tendencë po vjen gjithnjë e në rritje.
“Vazhdon të mbetet një problem aktual, vetëm në dekadën e fundit, dimë që janë larguar më shumë sesa 3500 mjekë, e në total me infermierë janë 5 mijë, vetëm drejt Gjermanisë. Kjo e thekson më tepër rëndësinë për të marrë masa, duhet që të stopohet në kohë.”
Për shkak të largimeve, më së shumti ndihet mungesa e specialistëve, por dhe mjekëve të familjes.
“Në të gjitha fushat, qoftë dhe në specialitetet e veçanta, por edhe në fushën e mjekut të familjes në kujdesin parësor shëndetësor ku edhe aty ka mungesa të mëdha.”
Që të frenohet ky fenomen, Skënder Brataj shprehet se duhet më shumë vëmendje ndaj bluzave të bardha.
“Ngarkesa e punës, stresi dhe te mbrojtja e tyre, nuk duhet të jenë në kërcënimin e kujtdo që vjen, apo siç ndodhi një muaj më parë, të rrihet mjeku.”
Teksa Shqipëria po rrit pagat, Gjermania po lehtëson gjithnjë e më shumë ligjet për të joshur mjekët e huaj, çka nxit më shumë largimin e bluzave të bardha.
Burimi: Klan News